Vështirësitë e padurueshme për të siguruar të drejtën bazike për informim

Autor: Agron Demi

Në nëntor 2003, Kuvendi aprovoi Ligjin për qasje në dokumente zyrtare. Njëzet vjet më pas, sfidat kryesore mbesin.

Në mars të vitit 2008, një ndër detyrat e para si hulumtues i ri në Institutin GAP ishte dërgimi i kërkesave për qasje në dokumente zyrtare në institucione të ndryshme. Në mars të 2023 ende pjesë e punës time në Institutin GAP është edhe dërgimi i ankesave tek zyrtarët publik dhe institucionet për mos respektim të afateve ligjore për përgjigje në kërkesat për qasje në dokumente publike.

Në mes të kësaj periudhe prej 15 viteve, janë ndërruar tetë qeveri, të udhëhequra nga katër parti të ndryshme, ligji për qasje në dokumente publike është aprovuar si ligj i ri tri herë, por vështirësitë në qasje në dokumente publike kanë mbetur thuajse të njëjta.

Raporet vjetore të Zyrës së Kryeministrit për realizimin e të drejtës për qasje në dokumente publike dhe raportet vjetore të Agjencisë për Informim dhe Privatësi tregojnë se shkalla e refuzimit të qasjes në dokumente publike ka shkuar duke rënë nga viti në vit. Por kjo nuk nënkupton se institucionet janë më të hapura. Të njejtat raporte dëshmojnë se numri i kërkesave për qasje në dokumente publike ka shkuar duke u rritur. 

Kjo tregon se qytetarët dhe bizneset nuk munden të gjejnë informacionin në platformat elektronike të institucioneve, përkundër asaj se përgjatë viteve janë shpenzuar me miliona euro në avancimin e uabfaqeve zyrtare, janë trajnuar zyrtarë publik përgjegjës për zbatimin e Ligjit për qasje në dokumente publike, si dhe është avancuar baza ligjore e cila kërkon ndërmarrjen e masave proaktive në publikimin e dokumenteve publike. 

Burimi: Raportet vjetore të ZKM (2012-2018) dhe Agjencisë për Informim dhe Privatësi (2020 dhe 2021). Mungon raporti i ZKM për vitin 2019.

Për shumë vjet organizatat e shoqërisë civile dhe mediat janë zvarritur nëpër gjykata për të siguruar të drejtën bazike të qasjes në dokumente publike. Zakonisht aktgjykimet e gjykatave kanë qenë në favor të kërkuesve të informacionit, por lejimi i qasjes në ato dokumente ka qenë tepër i vonë. Për shembull, në qershor të vitit 2013 Lëvizja FOL kishte parashtruar padi kundër Ministrisë së Infrastrukturës për mos lejim të qasjes në kontratën e autostradës “Ibrahim Rugova”, dhe kishte fituar të drejtën për qasje pas më shumë se shtatë viteve. Instituti GAP në qershor 2013 kishte ushtruar padi ndaj Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik për mos lejim të qasjes në asetet e privatizimit të rrjetit të energjisë dhe këtë të drejtë e fitoi vetëm në dhjetor të 2017. Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) në nëntor 2012 ushtroi padi ndaj Zyrës së Kryeministrit për mos lejim të qasjes në faturat e shpenzimeve dhe gjykata i dha të drejtë vetëm në shtator 2015.  

Funksionalizimi i Agjencisë për Informim dhe Privatësi në vitin 2021, ku pas shumë dështimeve Kuvendi i Kosovës arriti të emëroj Komisioneren për Informim dhe Privatëzi, ka shkuartuar kohën e ankesave dhe ka rritur shkallën e qasjes në dokumente publike. Tani në vend se ti drejtohen gjykatave, qytetarët dhe bizneset mund të ankohen në Agjenci. Gjatë viteve 2020-2021, Agjencia ka pranuar 180 ankesa kundër institucioneve për moslejim të qasjes në dokumente publike. 

Për disa dokumente publike, siç janë kontratat multimilonëshe për autostrada, apo shpenzimet e institucioneve për meditje, dreka e mallëra, ka vendime të qëllimshme politike për ti mbajtur ato të mbyllura. Por mbi 90% të dokumenteve publike mbahen të mbyllura vetëm për shkak të neglizhencës së zyrtarëve përgjegjës për ti bërë ato të qasshme në formë elektronike apo për tu përgjigjur në kërkesat për qasje në dokumente publike.

Edhe më tej mungon një qasje sistematike për të siguruar qasje në dokumente publike. Nëse nga viti 2012, institucionet kanë pranuar së paku 24 mijë kërkesa për qasje në dokumente publike, ky është një indikacion që nuk është bërë mjaftueshëm që të krijohet një sistem ku qytetarëve u mundësojet qasja në dokumente në uebfaqet e institucioneve, e në rastet e rralla, kur një kërkesë e tillë është e nevojshme, ai informacion duhet të bëhet i qasshëm për të gjithë, e jo vetëm për parashtruesin e kërkesës.

Andaj, krijimi i një sistemi unik elektronik i cili ruan dhe tregon ndërveprimin e të gjitha institucioneve dhe qytetarëve sa i përket qasjes në dokumente zyrtare, sipas modelit të WhatDoTheyKnow.com apo AskTheEU.org, do të ishte hapi i radhës për të avancuar të drejtën bazike të qytetarëve për informim.

Agroni Demi është aktivist i shoqërisë civile dhe analist i politikave. Pikëpamjet e shprehura këtu përfaqësojnë vetëm autorin.