Pse është e rëndësishme qasja në dokumente publike për gazetarët?

Autore: Dorentina Kastrati

Në shoqëritë demokratike, qasja në dokumente publike është shumë e rëndësishme për funksionimin e llogaridhënies, transparencës dhe përgjegjshmërisë së institucioneve publike. Në dokumentet të cilat i sigurojnë gazetarët përmes kërkesave për qasje, gjejnë një mjet të fuqishëm për të shpërfaqur disa të vërteta dhe për t’u kujdesur për zbatimin e ligjit nga institucionet.

Rëndësia e qasjes në dokumente publike ka disa dimensione për punën e gazetarëve. Duke pasur shpenzimet, vendimet dhe dokumentet tjera publike, gazetarët kujdesen që institucionet të jenë transparente dhe të përgjegjshme ndaj qytetarëve.

“Tek ne në Kosovë, kemi parë që ka jashtëzakonisht interesim kur mediat përmes kërkesave për qasje në dokumente zyrtare arrijnë të sigurojnë shpenzime të qeveritarëve dhe pushtetarëve për dreka e darka dhe për udhëtime. Mendoj se sa i përket rritjes së llogaridhënies për shpenzimin e parasë publike nga pushtetarët, e drejta për qasje në dokumente zyrtare ka një rol jetik” – ka deklaruar Besnik Velija, redaktor te Gazeta Express.

Gazetarëve dhe mediave në Kosovë u është lehtësuar qasja në dokumente publike me funksionalizimin e Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP). Para funksionalizimit të saj, gazetarët ose mediat është dashur t’i drejtohen gjykatës në rast se nuk i është ofruar qasja nga institucionet.

“Para aktivizimit të AIP-së, situata ishte shumë më e komplikuar sepse gazetarët në rast të refuzimit apo heshtjes së institucionit në kërkesat për qasje duhej t’i drejtoheshin gjykatës, e ky proces konsumonte vite të tëra e kërkonte shumë resurse, dhe shumë prej mediave nuk i kishin mundësitë objektive” – ka deklaruar Labinot Leposhtica, koordinator i Zyrës Ligjore në Rrjetin Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN).

Ai ka përmendur edhe rastin maratonik të BIRN kundër Zyrës së Kryeministrit për qasje në faturat e drekave/darkave dhe shpenzimeve të udhëtimit për kryeministrin, ministrat e stafin e tyre, në kohën kur Hashim Thaçi ishte kryeministër. Në këtë rast pas refuzimit të kërkesës nga institucioni, BIRN iu drejtua gjykatës dhe pas gati 6 viteve gjykata vendosi në favor të saj. Në këtë rast gjykata ka vendosur standardin se publiku duhet të informohet se si po shpenzohet paraja publike.

“Në këtë rast përkundër vendimit të gjykatës, përsëri kishte hezitim nga Zyra e Kryeministrit për të realizuar vendimin e gjykatës dhe kërkesa nuk u realizua derisa BIRN e dërgoi rastin tek përmbaruesi privat, i cili inicioi procedurën përmbarimore nën kërcënimin e shqiptimit të gjobës dhe pas shumë përpjekjeve u realizua kërkesa për qasje” – ka shtuar Leposhtica.

Rasti i BIRN-it kundër Zyrës së Kryeministrit tregon se sfidat për qasjen në dokumente publike kanë qenë intensive, por gjithashtu ka shërbyer si shembull për të treguar se si një angazhim i vazhdueshëm mund të ndikojë në rritje të transparencës dhe llogaridhënies nga institucionet.

“E rëndësishme është se u ndërtua standard, tani institucionet i publikojnë në mënyrë pro-aktive të dhënat rreth shpenzimeve të tyre” – ka përfunduar Leposhtica.

Për gazetarët, qasja në dokumente publike është thelbësore për të mbështetur raportimin e tyre me fakte të verifikuara dhe për të shmangur rrezikun e dezinformimit. Ajo ndihmon në krijimin e një baze të fortë për lajme të sakta dhe të plota.

“Informacionet që sigurohen përmes kërkesave për qasje në dokumente janë shumë të rëndësishme për punën time si gazetar. Në fakt, ato përbëjnë pjesën kryesore të raportimit rreth çështjes së për të cilën parashtrojë kërkesë, e rrjedhimisht edhe e përcakton cilësinë e versionit përfundimtar të raportimit” – ka theksuar Mehmet Krasniqi, gazetari dhe redaktori i RTV Dukagjinit.

Nga 171 institucione publike në nivel qendror dhe lokal, vetëm 87 prej tyre kanë raportuar në Agjencinë për Informim dhe Privatësi rreth numrit të kërkesave për qasje në dokumente publike. Pesë prej tyre kanë raportuar se përgjatë gjithë vitit 2022 nuk kanë pasur fare kërkesa për qasje në dokumente publike, ndërsa 84 institucione nuk kanë raportuar fare.

Pas mbledhjes dhe evidentimit të këtyre të dhënave për periudhën raportuese, nga institucionet të cilët kanë raportuar pranë AIP-së për vitin 2022 numri i përgjithshëm i kërkesave për qasje në institucione publike ka qenë 4481, prej të cilëve për 3893 kërkesa është ofruar qasje e plotë, për 409 kërkesa është ofruar qasje e pjesshme, ndërsa 154 kërkesa janë refuzuar.

Agjencia për Informim dhe Privatësi gjatë vitit 2022 ka pranuar gjithsej 207 nga qytetarët (individët), 138 nga OJQ-të dhe 76 nga mediat. Institucionet ndaj të cilave janë parashtruar ankesat në AIP janë: 135 ndaj dikasterit qeveritar, 121 ndaj komunave dhe 165 ndaj institucioneve të tjera.

“Rritja e transparencës dhe llogaridhënies institucionale është një prej objektivave me prioritet të lartë e AIP-së. Ndërgjegjësimi i institucioneve publike mbetet një proces i vazhdueshëm me qëllim të garantimit të së drejtës së qytetarëve për qasje në dokumente publike, e rrjedhimisht ofrimit të mundësisë së tyre për të qenë pjesë e proceseve vendimmarrëse në zbatimin e politikave të institucioneve publike me interes të përgjithshëm publik” – thuhet në raportin e Agjencisë për Informim dhe Privatësi për vitin 2022.

Dorentina Kastrati, është gazetare në KALLXO.com/BIRN