E drejta për qasje në dokumente publike

Autore: Krenare Sogojeva

E drejta për qasje në dokumente publike si një e drejtë kushtetuese, e mbrojtur me konventa ndërkombëtare dhe e rregulluar me Ligjin për qasje në dokumente publike në Kosovë, është një e drejtë themelore që promovon transparencën dhe llogaridhënien institucionale, si dy komponentë thelbësore për qeverisjen e mirë.

E drejta për të qenë të informuar është e paraparë përmes Ligjit nr. 06/L-081 për Qasje në Dokumente Publike. Ky Ligj i garanton qytetarëve të drejtën që të kërkojnë dhe të marrin informacion nga autoritetet publike, duke përfshirë detaje në lidhje me vendimet, politikat dhe aktivitetet e institucioneve publike.

Dokumentet publike i referohen çdo aktit, faktit apo informatës në formë elektronike apo me zë, formë të shtypur, në incizime vizuale apo audiovizuale të prodhuara apo mbajtura nga institucionet publike. Kjo përfshin gjithçka, nga procesverbali i takimeve dhe raportet zyrtare te emailet dhe postimet në mediat sociale. Qasja në dokumente publike është me rëndësi të veçantë për t’i mbajtur zyrtarët dhe organizatat publike përgjegjëse për veprimet e tyre.

Promovimi i transparencës si një nga përfitimet më domethënëse të së drejtës për t’u informuar dhe qasjes në dokumentet publike i ofron qytetarëve të drejtë të dinë se si shpenzohen taksat e tyre tatimore, çfarë vendimesh merren nga organet qeveritare dhe autoritetet tjera publike dhe si zhvillohen e zbatohen politikat e këtyre institucioneve.

Duke pasur qasje në dokumentet publike, qytetarët monitorojnë veprimet e zyrtarëve dhe organizatave publike dhe mund të kërkojnë llogari për çdo punë të tyre, me qëllim të rritjes së cilësisë së shërbimeve dhe lehtësimit të jetës së tyre në një shoqëri demokratike.

Kur qytetarët kanë qasje në informacione të sakta dhe gjithëpërfshirëse për aktivitetet e qeverisë, ata mund të përfshihen më mirë në debate publike dhe të krijojnë opinione të drejta dhe të sakta. Kjo është thelbësore për promovimin e vlerave demokratike dhe lejimin e qytetarëve që të jenë pjesë e vendimmarrjes për çështje të rëndësishme që prekin komunitetet e tyre.

E drejta për qasje në dokumente publike, në parim është një e drejtë e pakufizuar, mirëpo qytetari mund të mos jetë gjithmonë drejtpërdrejtë i përfshirë në një proces.

trembelat illustration

Mund të ketë raste kur autoritetet publike kanë arsye të vlefshme për të kufizuar informacione të caktuara, atëherë kur është e nevojshme për të mbrojtur sigurinë kombëtare ose të dhënat personale. Megjithatë, është thelbësore të sigurohet që këto përjashtime të përcaktohen saktësisht dhe të mos përdoren pa dallim për të parandaluar qasje në informacione publike.

Andaj, qytetarët e Kosovës duhet të ushtrojnë të drejtën e tyre për t’u informuar dhe të kërkojnë qasje në dokumentet publike. Duke vepruar kështu, ne mund të ndërtojmë një shoqëri më transparente dhe të përgjegjshme, ku vlerat demokratike ruhen dhe qytetarët kanë informacionin që u nevojitet për të qenë pjesë e vendimmarrjes qeverisëse për proceset që ndikojnë në jetën e tyre.

Autorja është Komisionere e Agjencisë për Informim dhe Privatësi. Pikëpamjet e shprehura këtu përfaqësojnë vetëm autorin.